Category: AKTUALE

  • Dy punëtorë të KEDS-it lëndohen nga rryma gjatë punimeve në Gjilan

    Dy punëtorë të KEDS-it lëndohen nga rryma gjatë punimeve në Gjilan

    Një incident i rëndë i sigurisë në punë është raportuar sot në rrugën “Skënderbeu” në Gjilan, ku dy punëtorë të kompanisë KEDS janë lënduar si pasojë e goditjes nga rryma elektrike.

    Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rreth orës 13:30 në repartin emergjent janë dërguar E. Q. dhe I. R. të cilët kanë pësuar lëndime trupore gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës.

    Gjatë ndërrimit të njehsorëve elektrikë, punëtori Q. është përfshirë nga rryma elektrike, duke pësuar dëmtime në dorën e majtë. Njësoj, punëtori tjetër R. ka marrë lëndime në krahun e djathtë, gjithashtu të shkaktuara nga goditja e rrymës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë NJHK dhe krim-teknika për ekzaminimin e rrethanave, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës, të cilët do të vlerësojnë shkeljet eventuale të standardeve të sigurisë.

    Pas konsultimit me Prokuroren kujdestare, rasti është kualifikuar si: “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse”, dhe “Rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

    Hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve.

  • Bazuar në raportet policore: Në nëntor kanë ndodhur 1,669 aksidente, 7 me fatalitet

    Duke u bazuar në të gjitha raportet ditore të Policisë së Kosovës për muajin nëntor, rezulton se gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur gjithsej 1,669 aksidente trafiku.

    Sipas të dhënave të përmbledhura, 726 aksidente kanë qenë me persona të lënduar, ndërsa 936 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjatë këtij muaji janë shënuar edhe 7 aksidente me fatalitet, me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve, transmeton Rilindjashqiptare.

    Në bazë të po këtyre raporteve ditore, Policia ka shqiptuar gjithsej 52,946 tiketa trafiku. Gjithashtu, 336 persona janë arrestuar dhe ndodhen në mbajtje për vepra të ndryshme gjatë muajit nëntor.

    Autoritetet policore apelojnë për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të trafikut me qëllim zvogëlimin e numrit të aksidenteve.

  • Osmani përkujton ish-presidentin Rugova: Trashëgimia e tij është testament për paqen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në ditëlindjen e tij.

    Ajo ka vlerësuar lartë jetën dhe veprën e ish-presidentit Rugova.

    Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ai mbetet frymëzim i përhershëm.

    “I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë. Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik!”, ka shkruar Osmani.

  • Gjysma e emigrantëve të kthyer në Shqipëri duan të ikin sërish

    Kosova duhet t’i llogarisë të humbura 42 milionë eurot që i pagoi për mbulimin e kostos së rrymës në veri, në periudhën tetor 2022 – dhjetor 2023, kur Elektrosever dështoi të përmbushte licencën.

    Përkundër fjalëve të dhëna atë kohë, se do të kërkojë forma financimi për të mbuluar dëmin vetëm e vetëm që Elektroseverit të mos i hiqet licenca, tash Bashkimi Evropian thotë se nuk ka bazë ligjore për një kompensim ndaj Kosovës

    Këtë e konfirmon përgjigjja e Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

    “Ne nuk shohim bazë ligjore për këtë. Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Sorensen mbetet i gatshëm që të adresojë shqetësimet e sjella nga palët në dialog, gjatë takimeve të kryenegociatorëve”, tha Bashkimi Evropian.

    Sipas një deklarate, në mars 2024, nga zëvendëskryeministri – tani në detyrë – Besnik Bislimi, ish-Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajçak, kishte kërkuar Zyra e Rregullatorit për Energji të mos ia tërhiqte licencën Elektroseverit, përkundër dështimit për nisjen e faturimit.

    Në këmbim, sipas Bislimit, Lajçak ishte zotuar të gjejë forma financimi nga BE-ja për të kompensuar dëmin nga Tetori 2022, kur sipas licencës Elektrosever do të duhej të niste faturimin – ose t’i hiqej licenca.

    Kjo kompani, e licencuar në Kosovë në qershor 2022 – nuk nisi faturimin deri në janar 2024.

    Dëmi buxhetor i shkaktuar si pasojë e këtij dështimi të Elektroseverit, në këtë periudhë, llogaritet të jetë rreth 42 milionë euro.

    Për zotimin e Lajcak, në prill 2024 Bislimi i kishte dërguar shkresë zyrtare BE-së.

    Në total, që nga përfundimi i luftës, si pasojë e mos-pagesës së energjisë elektrike nga banorët në katër komunat me shumicë serbe në veri, dëmi buxhetor llogaritet të jetë rreth 350 milionë euro.

  • KQZ-ja mblidhet sot për të vendosur rreth fletëvotimeve të 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do ta mbajë mbledhjen e radhës.

    Në rendin e ditës është paraparë të shqyrtohet dhe miratohet specifikimet teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në rend të ditës bëhet e ditur se bën pjesë edhe shqyrtimi dhe miratimi i formularëve/formave zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe shqyrtimi e miratimi i përbërjes së komisioneve komunale.

    Mbledhja do të nisë nga ora 14:00.

     

  • Moti sot

    Moti sot

    Temperaturat do të jenë mbi vlerat mesatare për këtë periudhë kohore, ndërsa intervale reshjesh e rrebesh afatshkurtra shiu priten në disa rajone. Në malet e larta priten reshje të dobëta bore.

    Në mbrëmje vonë pritet të ketë shtim të vranësirave me rrebeshe lokale shiu por jo në të gjitha viset. Temperaturat në mëngjes do të zbresin deri në -1 gradë Celsius, kurse gjatë ditës maksimalja pritet të arrijë deri në 10 gradë Celsius.

  • Ngjarjet e ditës: 02 dhjetor 2025

    Ngjarjet e ditës: 02 dhjetor 2025

    • Mbahet konferenca lansuse e fushatës  “Prokurimi që Ndryshon Jetë”.  (Hotel Swiss Diamond, Prishtinë)

    • 10:00Edicioni i III-të Forumi i Gjelbër i organizuar nga Balkan Green Foundation. (Hotel “Swiss Diamond”, Prishtinë)

    • 10:00Institucioni i Avokatit të Popullit organizon Konferencë Ndërkombëtare “E Ardhmja e të Drejtave të Njeriut në mes të Transformimeve Globale: Sfidat Kombëtare dhe Detyrimet Ndërkombëtare”.  (Hotel Emerald, Prishtinë)

    • 11:00Mbahet programi kulturoro–artistik me rastin e 3 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.(Fakulteti i Edukimit – Amfiteatri i Madh, Prishtinë)

    • 13:00Tryeza e rrumbullakët “Gratë dhe Hapësirat Digjitale: Fuqizimi, Siguria dhe Dukshmëria Online” e organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në kuadër të projektit të UNDP dhe UNFPA “Youth 4 Inclusion, Equality & Trust (Y4IET).”  (Infinit Food and Drinks, Prishtinë)

  • Trump paralajmëron Izraelin ‘të mos ndërhyjë’ në Siri

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e paralajmëroi Izraelin të hënën kundër destabilizimit të Sirisë dhe udhëheqjes së saj të re, disa ditë pas një operacioni vdekjeprurës nga forcat izraelite në jug të vendit.

    “Është shumë e rëndësishme që Izraeli të mbajë një dialog të fortë dhe të vërtetë me Sirinë dhe të mos ndodhë asgjë që do të ndërhyjë në evolucionin e Sirisë në një shtet të begatë”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.

    Menjëherë pas postimit të Trump në mediat sociale, zyra e Benjamin Netanyahut tha se kryeministri izraelit zhvilloi një telefonatë me presidentin e SHBA-së.

    Trump theksoi se ishte “shumë i kënaqur” me performancën e Sirisë nën drejtimin e presidentit Ahmed al-Sharaa, i cili bëri një vizitë historike në Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

    Trump ka kërkuar një pakt sigurie midis Izraelit dhe Sirisë që kur koalicioni i al-Sharaa rrëzoi sundimtarin e hershëm Bashar al-Assad një vit më parë.

    Por tensionet janë rritur për shkak të qindra sulmeve nga Izraeli në Siri.

    Në operacionin më vdekjeprurës deri më tani, forcat izraelite vranë 13 persona të premten në një operacion në Sirinë jugore, duke thënë se ata kishin në shënjestër një grup militant.

    Trump tha se al-Sharaa “po punon me zell për t’u siguruar që të ndodhin gjëra të mira dhe që Siria dhe Izraeli të kenë një marrëdhënie të gjatë dhe të begatë së bashku”.

    Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara “po bëjnë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’u siguruar që Qeveria e Sirisë të vazhdojë të bëjë atë që ishte menduar” për të rindërtuar vendin e shkatërruar nga lufta.

    Marrëdhëniet e mira midis Sirisë dhe Izraelit do t’i shtojnë përpjekjet e tij për një paqe më të gjerë në Lindjen e Mesme pas armëpushimit të brishtë në Gaza në tetor, shtoi Trump. /

  • Partitë opozitare pa koalicione në zgjedhje, VV-ja bashkë me një tubë partish të vogla

    Partitë opozitare pa koalicione në zgjedhje, VV-ja bashkë me një tubë partish të vogla

    Përpos Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), partitë tjera të mëdha në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë të vetme, me disa individë ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.

    PDK, LDK, AAK e NISMA, si parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare llogarisin vetëm në forcat e veta, shkruan Dukagjini.

    Për analistin Muhamet Hajrullahu, fakti se NISMA nuk ka arritur koalicion as me LDK-në e me asnjë parti tjetër, ka qenë befasi.

    Të pa natyrshme sipas tij janë edhe koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje me disa parti të vogla, por në anën tjetër edhe bashkimi i Eman Rrahmanit në listën e PDK-së, e Ferid Agani i cili i është bashkuar listës së LDK-së.

    “Kjo tregon për mua njëfarë lloj pazari në momentet e fundit pra që nuk janë këto bashkime as me ideologji as bashkime që i lidh shumë njëra me tjetrën, kjo tregon se të gjitha këto subjekte, edhe të voglat, edhe të mëdhatë po tentojnë, ose tentuan që në momentet e fundit të marrin nga pak vota kudo që është e mundshme në Kosovë dhe kjo tregon që ata nuk janë bashkuar për ideologji apo bashkim për interesa nacionale a ku ta di unë por janë interesa të momentit të fundit të cilët mund të përfundojnë ndonjë votë”, ka thënë Muhamet Hajrullahu – Analist.

    Hajrullahu nuk pret ndryshime në listën për deputet as në këto zgjedhje, ndërsa vlerëson se decentralizimi i të drejtës për të propozuar kandidatët për deputet, në degët nëpër qytete e shpërndanë edhe përgjegjësinë për rezultatet, çfarëdo që janë ato.

    Analisti tjetër politik, Bekim Kabashi thotë se partitë politike kanë nxjerrë mësime dhe kanë marrë llogari nga terreni, dhe po tentojnë t’i shmangin bashkëpunimet që nuk i do elektorati dhe strukturat.

    Kjo vlen edhe për koalicionet por edhe për listën për deputet.

    “Kanë mësu nga gabimet e zgjedhjeve të kaluar, dëmet që i kanë pësu, shembull AAK, është dëmtu nga NISMA sesa që ka përfitu prej saj edhe pse me atë qëllim ka hy në atë koalicion parazgjedhor ngjashëm ka ndodh një problem tjetër me LDK-në, përcaktimi i listës për deputet nga ana e kryetarit, Lumiri edhe pse e ka me statut që ka të drejtë, i ka paraqit problemet e brendshme që nuk kanë qenë të vogla edhe tash ka shku me seanimin e tij problemi që mos me pasë një klimë të tensionume të polirazume brenda subjektit të tij politik dhe ua ka lënë të hapur kryesisë që ta përcaktojë listën”, ka thënë Bekim Kabashi – Analist.

    Partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

  • Çitaku: Mendësisë abuzive të VV-së do t’i vijë fundi më 28 dhjetor

    Ish-deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se “mendësisë abuzive të VV-së” do t’i vijë fundi më 28 dhjetor.

    Në një postim në Facebook, Çitaku ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon, siç thotë ajo, “avazin e vjetër” të shpërdorimit të resurseve shtetërore për qëllime elektorale.

    “Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me avazin e vjetër, shpërdorimin e të gjitha resurseve shtetërore për beteje elektorale. Kjo sjellje tregon mungesë respekti për vet shtetin dhe institucionet e Republikës. Institucionet janë më të mëdha se partitë, më të mëdha se individët. Ne jemi vetëm shërbyes të përkohshëm në to”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

    Ndër të tjera, sekretarja e PDK-së thotë se cenimi i institucioneve është i rrezikshëm për demokracinë, për ligjshmërinë dhe për vet Republikën.

    “Ambasadat nuk janë të VV-së. As të PDK-së. Ambasadat janë të Republikës së Kosovës. Mendësisë abuzive të VV-së do t’i vijë fundi më 28 Dhjetor”, përfundoi ajo.