Category: AKTUALE

  • Krasniqi reagon sërish për keqpërdorim të votave

    Kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar sërish lidhur me keqpërdorimet që ajo ka raportuar për votat në Vushtrri, raporton Gazeta Blic.

    Por, ajo ka thënë se ky fenomen nuk ka ndodhur vetëm në këtë komunë, teksa ka thënë se asnjëherë s’ka pasur interes personal, por që të tregohet dështimi i madh në këtë proces.

    Postimi i saj i plotë:

    Katundi që duket kallauz nuk do

    Nga rinumërimi që ka ndodhur në QNR është vertetuar ajo që kam ngritur si shqetësim që nga 16 shkurti kur ende nuk ka pasur dijeni se kush do të jetë deputet ose sa vota i ka marrë njëri ose tjetri deputet.

    Nga ky rinumrin po vërtetohet ndryshimi i votave për kandidat të caktuar ndërhyrje në fletvotim (me kimik),janë shtuar vota në sistem pa qenë fare në kuti dhe shumë parregullësi të tjera, ku për shkak të këtyre ndërhyrjeve jam dëmtuar personalisht me dhjetëra vota bashkë me disa kandidatë të tjerë në listen tonë dhe padyshim vërehet se edhe janë shtuar vota disa kandidatëve të tjerë, ku njërit kandidat nga Vushtrria i kanë shtuar 88 vota të cilat nuk i kishte marrë nga vullneti i qytetarëve por nga njerëzit e tij në QNR.

    Sa i përket akuzave nga ata që kanë manipuluar me vota, se kinse kam dalë 1 votë më pak, aty vërehet qartë se ajo votë nuk është më pak, por ata kanë tentuar ta shtojnë edhe kandidatin në fjalë dhe ai fletëvotim është shpallur i pavlefshëm sikurse janë shpallur mbi 20 fletëvotime vetem ne nje vendvotim që kanë ndikuar në rezultatin e shumë kandidatëve.

    Për detaje më të hollësishme nga shtrembërimi i vullnetit të qytetarëve të Vushtrrisë për mua si kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa kolegëve të tjerë do të njoftoheni pas raportit të plotë që do ta publikoj prokuroria.

    Asnjëherë nuk ka qenë me rëndësi interesi personal, por fenomeni që me gjasë nuk ka ndodhur vetëm në Vushtrri, por në shumë qendra të tjera dhe ky proces ka qenë një dështim i madh.

    Demokracia për mua, për qytetarët e Vushtrrisë dhe votuesit e LDK-së është më e vlefshme se ambiciet personale tuaja.

    Drejtësia do të triumfojë!

  • Istogu përkujton Haki Rugovën në 3-vjetorin e ndarjes nga jeta

    Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati, njëherësh anëtar i kryesisë së LDK-së, bashkë me struktura të degës dhe familjarë, sot bënë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, në 3-vjetorin e vdekjes së tij.

    E Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një postimi në Facebook, thotë se sot kujtohet një personalitet dhe veprimtar i dalluar i saj, duke shtuar se Rugova ishte shembull i përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës.

    “Angazhimi i tij ishte i pandalshëm në proceset e vështira të Kosovës. Ai për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike. Prandaj si i tillë, mbetet dhe kujtohet gjithmonë si model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues. Lavdi jetës dhe veprës së Haki Rugovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet tutje.

  • Gjendet e gjallë në Meksikë amerikania e rrëmbyer 25 vjet më parë

    Amerikania Andrea Michelle Reyes, e cila u rrëmbye në Konektikat si fëmijë, është gjetur e gjallë 25 vjet më vonë në Meksikë, raportoi The Guardian.

    Reyes ishte dy vjeç kur u mor nga nëna e saj, Rosa Tenorio, në tetor 1999, sipas një deklarate nga policia e New Haven.

    Tenorio nuk kishte kujdestarinë ligjore të Reyes, babai i të cilit ishte kujdestari, tha policia.

    Policia e New Haven dhe FBI kanë marrë një urdhër arresti për Tenorio, e cila dyshohet se ka ikur me vajzën e saj në Meksikë dhe besohet se ende banon atje.

    Çështja u fashit deri në vitin 2023, kur një detektiv policie filloi të rihetonte rrëmbimin e Andreas.

    Duke përdorur një kombinim intervistash, urdhra kërkimi dhe media sociale, detektivi Kealin Nivakoff përcaktoi se Reyes jetonte në qytetin meksikan të Puebla, i cili ka një popullsi prej më shumë se një milion dhe ADN-ja konfirmoi identitetin e vajzës.

  • E papritur: Kurti bashkë me Rashiqin thërrasin konferencë për media sot, s’dihet arsyeja

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot do të mbajë një konferencë për media.

    Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, në konferencë do të jetë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

    Në njoftim nuk është bërë e ditur arsyeja, por thuhet se konferenca do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë nga ora 11:00.

  • Një person humb jetën nga zjarri në Prapashticë

    Të shtunën në fshatin Prapashticë të Komunës së Prishtinës, si pasojë e një zjarri dyshohet se në një fushë një person ka humbur ndjenjat dhe pas ekzaminimit nga ekipet mjekësore është konstatuar që viktima është pa shenja jete,

    Kështu ka njoftuar policia në raportin 24 orësh duke thënë se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i dorëzohet mjekësisë ligjore për obduksion.

     

  • Një muaj nga zgjedhjet, ende s’ka rezultate përfundimtare

    KQZ ende s’i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Ndonëse procesi i numërimit mbaroi të mërkurën, në PZAP ka pasur disa ankesa, të cilat e shtyjnë shpalljen e rezultateve përfundimtare.

    Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi kishte thënë se rezultatet përfundimtare do të shpallen më 5 mars, ndërsa certifkimi do të bëhet më 18 mars.

    Ndërsa sa i përket certifikimit të rezultateve, Elezi kishte thënë se në proceset tjera zgjedhore KQZ’së i janë dashur 8-9 ditë pas shpalljes së rezultateve përfundimtare që t’i certifikojë ato.

    Mirëpo dje një subjekt politik ka paraqitur tri ankesa në nga Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

    Prandaj, zëdhënësi i Komisionit Zgjedhor Qendror, Valmir Elezi, tha se KQZ-së do t’i duhet të presë vendimet e PZAP-së dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme për të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

    “KQZ është njoftuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se në këtë institucion janë paraqitur tri ankesa nga një subjekt politik. Andaj, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe eventualisht edhe të Gjykatës Supreme para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025”, tha ai.

    Cilat janë rezultatet?

    Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pësuar një rënie në numrin e mandateve që ka siguruar, nga 58 në 48. Ajo nga votat e rregullta ka marrë 40.90 për qind, në përfaqësitë diplomatike 80.71 për qind, nga votimi përmes postës 51.57 për qind, nga votat me kusht 44.25 për qind dhe nga votat e personave me aftësi të kufizuara 31.88 për qind.

    Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës e cila ka fituar 24 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Nga votat e rregullta, PDK ka marrë 22.04 për qind, në përfaqësitë diplomatike 7.73 për qind, nga votimi me postë 9.48 për qind, me kusht 20.17 për qind dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta 24.02 për qind.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 20 mandate, duke shënuar rritje nga zgjedhjet e 2021. Nga votat e rregullta LDK ka marrë 17.64 për qind, nga votat me postë 30.55 për qind, në përfaqësitë diplomatike 7.30 për qind, nga votimi me kusht 13.64 për qind dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta 19.54 për qind.

    Koalicioni AAK- Nisma kanë marrë 8 deputetë së bashku. Haradinaj vetë i pesti dhe Limaj vetë i treti do të jenë pjesë e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Ata nga votat e rregullta kanë marrë 7.46 për qind, nga votimi në përfaqësitë diplomatike 1.97 për qind, nga votimi me postë 3.23 për qind, nga personat me nevoja të veçanta 8.86 për qind dhe nga votat me kusht 5.63 për qind.

    Ndërkaq sa i përket 20 ulëse të garantuara, Lista Serbe do t’i ketë 9 pasi për herë të parë një ia ka marrë Nenad Rashiq.

    10 mandate të minoriteteve joserbe do të ndahen kësisoj: Nga turqit Partia Demokratike Turke e Kosovës 2 ulëse; nga boshnjakët Partia Demokratike e Re 1 ulëse, Koalicioni Vakat 1 ulëse dhe Unioni Socialdemokrat 1 ulëse; nga egjiptianët Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës 1 ulëse, Partia Liberale Egjiptiane 1 ulëse, nga ashkalinjtë Partia e Ashkalinjëve për Integrim 1 ulëse; nga goranët Partia Unike Gorane 1 ulëse; nga romës Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 1 ulëse.

  • Zjarr i madh në malet e Deçanit, kërkohet ndërhyrja e autoriteteve shtetërore

    Një zjarr i madh ka përfshirë malet e Deçanit.

    Kjo u bë e ditur përmes një postimi në Facebook, nga faqja e Historianëve të Kosovës, dega në Deçan.

    Ata kanë kërkuar nga autoritetet shtetërore ndërhyrje emergjente për ndalimin e këtij zjarri, që ka marrë përmasa shqetësuese.

    Sipas tyre, kjo është zjarrëvënie, e cila ka shkaktuar dëme të mëdha.

  • Trump synon ta bëjë SHBA-në kryeqytetin botëror të Kriptomonedhave

    Presidenti Donald Trump thotë se dëshiron t`i bëjë Shtetet e Bashkuara kryeqytetin botëror të kriptomonedhave. Siç njofton zëri i Amerikës, Trump po e zbaton planin e tij që nisje të mandatit të dytë presidencial.

     

    Që në javët e para të detyrës, presidenti Donald Trump mori hapa konkrete për të përmbushur premtimet e tij zgjedhore lidhur me kriptomonedhat. Ai emëroi një drejtues për kriptomonedhat dhe ka emëruar rregullatorë që janë mbështetës të kësaj industrie.

    Ai nxorri kripto monedhën e tij dhe ka firmosur një urdhër ekzekutiv për kriptomonedhat.

    “Ky është urdhëri ekzekutiv për kriptomonedhat. Ne do të ngremë një grup të brendshëm pune për ta bërë Amerikën kryeqytetin botëror të kriptomonedhave, nën udhëheqjen tuaj”, tha David Sacks, drejtues pranë Shtëpisë së Bardhë për kriptomonedhat.

    Trump kishte mëdyshje për kriptomonedhat gjatë mandatit të tij të parë. Por ai u duk se ndryshoi mendje gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024. Firmat e kriptomonedhave kontribuan ndjeshëm në fushatën presidenciale të zotit Trump.

    Përkrahësit e kriptomonedhave mirëpritën masat e para të ndërmarra nga Trump, si një ndryshim nga ajo që e konsideronin si qasje armiqësore të administratës së presidentit Joe Biden.

    “Urdhëri ekzekutiv dhe komentet e tij, mendoj se ishin shumë në përputhje me atë që kërkuan përkrahësit e kriptomonedhave, me atë që ata donin”, thotë Ben McMillan nga kompania IDX Advisors.

    Sipas urdhërit ekzekutiv, një grup pune duhet të shqyrtojë mundësinë e krijimit të një stoku kombëtar të pasurive digjitale nga kriptovalutat e sekuestruara nga qeveria federale.

    Po ashtu, urdhëri bën të mundur që firmat e kriptomonedhave të kenë qasje tek shërbimet bankare. Deri tani, këto kompani ishin ankuar se bankat kishin refuzuar që ato të kishin llogari.

    Por disa kritikë shqetësohen se cënimi i mekanizmave mbrojtës mes industrisë bankare dhe botës së kriptomonedhave bart rreziqe.

    “Ky ka qenë një objektiv kryesor i industrisë së kriptomonedhave dhe është diçka që duhet ta vëzhgojmë nga afër për shkak të rrezikut të dëmtimit nga tregjet e kriptomonedhave, një treg shumë i paqëndrueshëm”, thotë Molly White, kritike e kriptomonedhave.

    Grupi i punës pranë Shtëpisë së Bardhë pritet të rekomandojë masa rregullatore.

    “Do të ishte me të vërtetë me vlerë, nëse do të kishim rregullore të qarta, por edhe të drejta e të barabarta, që të mos mbështeten vetëm sipërmarrësit e monedhës digjitale, por gjithashtu të merret parasysh nevoja për mbrojtjen e konsumtatorëve dhe investitorëve”, thotë Ravi Sarathy nga Universiteti Northeastern.

    Gjatë muajve të ardhshëm, presidenti Trump pritet të njoftojë mekanizma të tjerë lidhur me planin e tij për kriptomonedhat.

  • 58 gra të vrara në 14 vjet në Kosovë – dënime të buta dhe drejtësi e vonuar

    Për 14 vjet, 58 gra janë vrarë në Kosovë nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët apo nga familjarë të tyre. Vetëm gjatë vitit të shkuar kanë ndodhur tri.

    Një vrasje e rëndë, në Kosovë dënohet me minimumi 10 vjet burgim dhe maksimumi, burgim të përjetshëm. E kjo masë është shqiptuar nga gjykatat në tri raste, teksa njëri është rrëzuar nga Gjykata e Apelit.

    Njohës të drejtësisë dhe të sigurisë i kanë vlerësuar dënimet për të akuzuarit për vrasje të grave si kryesisht të buta dhe të vonuara.

    Kjo, sipas juristit, Anton Nrecaj, përbën dështim të institucioneve të drejtësisë.

    Ne kemi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese, që ka vendosur sa i përket dështimit të institucioneve në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje. Në njërin rast, kemi kur Gjykata ka dështuar t’i ofrojë mbrojtje viktimës dhe rasti tjetër është kur Policia nuk i ka ofruar mbrojtje viktimës”, ka thënë Ndrecaj.

    E për parandalimin e vrasjeve, njohësi i sigurisë, Arben Dashevci, e sheh të domosdoshëm ashpërsimin e sanksionet penale për kryerësit.

    “Janë shqetësuese, shkaktojnë shqetësim te qytetarët e Republikës së Kosovës dhe definitivisht për këta persona që i bëjnë këto raste që i quaj makabre dhe mjaft të tmerrshme, sanksionet penale duhet të ashpërsohen për ta, gjithmonë për preventivë dhe gjithmonë për parandalim që këto raste të zvogëlohen në mënyrën sa më minimale”, është shprehur Dashevci.

    Për vrasjen e një 43-vjeçareje në Pejë në prill të 2024-s, Gjykata Themelore e Pejës i ka shqiptuar bashkëshortit të saj dënimin me burgim të përjetshëm, pas pranimit të fajësisë. Kjo masë iu shqiptua nga Apeli edhe vrasësit të 18-vjeçares Marigona Osmanit nga Ferizaj, Dardan Krivaqa.

    E të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dënimi me burgim të përjetshëm i është rrëzuar nga Apeli dhe ai është në liri.

    Së fundi, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Naim Murselit, për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj, dhe procesi kundër tij është ende në vazhdim.

    Në proces gjyqësor është edhe rasti i vrasjes së 21-vjeçares, Erona Cokli, në prill të 2024-s, për të cilën Themelorja në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj. Por shqyrtimi gjyqësor është shtyrë në afat të pacaktuar, shkaku se ndaj të pandehurit Valon Aliu, është lëshuar urdhëresë për ekzaminim psikiatrik.

  • Tragjedi në Kamëz: 2-vjeçari humb jetën pasi u përplas nga makina, arrestohet drejtuesi

    Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të shtunë në Kamëz.

    Një makinë ka përplasur në rrugë një fëmijë 2 vjeç dhe është larguar.

    Sipas informacioneve nga gazetarja e Top Channel, Kleida Muka, 2-vjeçari është përplasur pranë banesës në Fushë Domje.

    Drejtuesi i makinës, Y.M. 57 vjeç, komshi me viktimën ka rënë në prangat e policisë pas ngjarjes tragjike.

    Fillimisht të miturin familjarët e kanë dërguar në poliklinikën e Kamzës dhe më pas tek Trauma, atje ku edhe ka ndërruar jetë.

    “Rreth orës 17:30, në Spitalin e Traumës, familjarët kanë dërguar për mjekim një të mitur rreth 2 vjeç, të cilin e ka aksidentuar në Kamëz një automjet me drejtues ende të paidentifikuar. Si pasojë i mituri ka ndërruar jetë në spital”, sipas njoftimit të policisë.

    Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes së rëndë.