Category: AKTUALE

  • Ardhja e shefit të NATO-s në Kosovë, ekspertët e sigurisë: Mesazhe të qarta për sigurinë

    Koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli ka deklaruar se ardhja e delegacionit të NATO-s në Kosovë është një dukuri pozitive.

    “Padyshim se ardhja e tij në Kosovë dhe Ballkan lidhet me paqëndrueshmërinë  e situatës së sigurisë, sidomos situata e fundit me Dodikun në Ballkan. Por më e rëndësishme se kaq është qëndrimi i Shteteve të bashkuara në këtë kohë përplasjesh të mëdha”, deklaroi Veseli për Tv Dukagjinin.

    Nga ana tjetër Ish-zv.ministër i Brendshëm Valdet Hoxha thotë se vizita e të parit të NATO-s në Kosovë është vazhdimësi e Aleancës Veriatlantike për sigurinë në Ballkan.

    “Me këtë vizitë shefi i NATO-s do të demonstrojë se nuk do të lejojnë asnjë hap të përshkallëzimit të situatës pavarësisht se çfarë statusi do të ketë NATO, nëse rimodelohet ajo. Vizita e Routte do të jetë konfirmim se Rusia s’ka çfarë kërkon këtu”, ka deklaruar Hoxha.

    E konfirmuar: Shefi i NATO-s viziton Kosovën me 11 mars

    Hoxha thotë se tashmë në funksion është diplomacia e forcës.

    Ai thotë se zyrtarët e lartë amerikan e kanë përsëritur disa herë se nuk do të ketë lëvizje të trupave nga Kosova.

    “Megjithatë ne e kemi në dorë të mbajmë apo jo trupat e NATO-s. Trump e ka treguar se dëshiron paqe në botë dhe kjo është e mira”.

    Koloneli Afrim Veseli nuk ka lënë pa kritikuar edhe ministrin e mbrojtjes për kapacitetet ushtarake që ka Kosova.

    “Kolegut tim Maqedonci si duket nuk po i rri mirë petku politikë. Ushtria jonë ka tri regjimente të FSK me afër 4 mijë trupa. Por përballë i kemi katër brigada të këmbësorisë serbe. Është utopike të mendohet se ne mund të mbrojmë veten. Ne kemi një popullatë shumë të papërgatitur ushtarakisht”, ka deklaruar Veseli.

  • Fillon ndezja e flakadanëve në Prekaz për nder të Epopesë së UÇK-së

    Për të 27-tën herë me radhë u ndezën flakadanët në “Natën e zjarreve” në Prekazin heroik, për të kujtuar luftën dhe sakrificën e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes Jashari të rënë për lirinë e Kosovës.

    Ndezja e flakadanëve që simbolizon përhapjen e flakës së lirisë në gjithë vendin, edhe sivjet bëri bashkë me qindra qytetarë shqiptarë.

    Kjo natë përmbledh kujtimin tre ditor të sakrificës dhe flijimit të familjes Jashari apo Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

     

  • Haxhiu inkurajon gratë t’i adresojnë padrejtësitë në vendin e punës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ka takuar zyrtaret e Ministrisë së Drejtësisë dhe agjencive në kuadër të kësaj ministrie.

    Ajo i ka inkurajuar ato t’i adresojnë diskriminimet e padrejtësitë në punë.

    “Në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, takova zyrtaret e ministrisë së Drejtësisë dhe agjencive në kuadër të Ministrisë. I falënderova për punën dhe angazhimin e madh. I inkurajova që të adresojnë diskriminimet dhe padrejtësitë në vendin e punës dhe iu ofrova mbështetje për tejkalimin e sfidave. Për njëra tjetrën, për barazi dhe drejtësi!”, ka shkruar Haxhiu.

  • Aksident zinxhiror në Vragoli, krijohen kolona në trafik

    Një aksident trafiku zinxhirorë posa ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë, konkretisht në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës.

    Aty janë përfshirë gjashtë vetura.

    Policia ka dal në vendin e ngjarjes, ku vërehet se dëmet janë kryesisht materiale, por që janë krijuar kolona të gjata.

  • Mësuesi, drita e dijes” Shkolla “Mihail Grameno” feston 7 Marsin me një program patriotik

    Mësuesi, drita e dijes” Shkolla “Mihail Grameno” feston 7 Marsin me një program patriotik

    FushëKosovë: Shkolla “Mihail Grameno” feston Ditën e Mësuesit me një program të veçantë

    Sot, në ambientet e shkollës “Mihail Grameno” aneksi 3 në FushëKosovë, është festuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit, me një program të larmishëm të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.

    Në këtë festë të rëndësishme ishin të pranishëm prindër, mysafirë nga komuna dhe mësimdhënës, të cilët ndoqën me emocion performancat e fëmijëve. Programi artistik u karakterizua nga këngë dhe recitime patriotike, duke i kushtuar një vend të veçantë Epopesë së UÇK-së dhe familjes Jashari, duke dëshmuar edhe një herë ndjenjat atdhetare të komunitetit shkollor.

    Në përfundim të aktivitetit, drejtori i shkollës ndau mirënjohje për prindërit që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për mbështetjen dhe zhvillimin e shkollës.

    Ky organizim i veçantë tregoi edhe një herë se respekti dhe vlerësimi për figurën e mësuesit mbetet i rrënjosur thellë tek brezat e rinj dhe se edukimi vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë. /Rilindja Shqiptare/

  • Presidenti Trump paralajmëron përsëri Hamasin, kërkon lirimin e të gjitha pengjeve

    Presidenti Trump paralajmëron përsëri Hamasin, kërkon lirimin e të gjitha pengjeve

    Presidenti Donald Trump përsëriti të enjten paralajmërimin e tij se Hamasi duhet të lirojë menjëherë pengjet e mbetura izraelite. Grupi, i cili konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara, tha se do ta bëjë një gjë të tillë vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, Hamasi akuzoi SHBA-në dhe Izraelin se po përpiqen të tërhiqen nga negociatat.

    Ndërsa palestinezët përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre mes armëpushimit të brishtë në Gazë, Presidenti Donald Trump i dha Hamasit, një grup i përcaktuar terrorist nga SHBA, një ultimatum: të lirojë menjëherë të gjithë pengjet izraelitë ose ta “paguajë shtrenjtë”.

    Të enjten, ai u pyet se çfarë donte të thoshte me këtë.

    “Do ta shihni. Pata nderin të kaloj shumë kohë dje me disa nga pengjet e liruar dhe nuk mund ta besoj se sa keq janë trajtuar”, u përgjigj Presidenti Trump.

    Ai e bëri paralajmërimin të mërkurën pas takimit me ta.

    Administrata e zotit Trump dërgoi 4 miliardë dollarë armë në Izrael këtë javë, hera e dytë brenda një muaji që përdori autoritetin e urgjencës për të anashkaluar miratimin e Kongresit për shitjen.

    Një zëdhënës i Hamasit tha se rruga më e mirë për lirimin e pengjeve është përmes negociatave për armëpushim. Politika e Uashingtonit ka qenë që të mos negociojë me terroristët. Por zoti Trump konfirmoi se administrata e tij ka filluar bisedimet e drejtpërdrejta me Hamasin për lirimin e pengjeve.

    “Ne po ndihmojmë Izraelin në këto diskutime, sepse po flasim për pengjet izraelitë. Dhe ne nuk po bëjmë asgjë në lidhje me Hamasin. Nuk japim para”, tha ai.

    Duket se këto bisedime janë të shkëputura nga negociatat mes Hamasit dhe Izraelit për të siguruar fazën e dytë të armëpushimit të Gazës. Faza e parë përfundoi fundjavën e kaluar.

    “Shumë njerëz parashikojnë që armëpushimi të dështojë, sepse presin që kryeministri [Benjamin] Netanyahu të fillojë sërish të godasë Gazën. Dhe sapo të ndodhë kjo, nuk do të ketë më lirim pengjesh”, thotë Mirette Mabrouk, bashkëpunëtore e lartë në Institutin e Lindjes së Mesme.

    Ndërkohë, vendet arabe miratuan të martën një kundërpropozim ndaj thirrjes së zotit Trump për të dëbuar palestinezët dhe për ta kthyer Gazën në një destinacion turistik. Sipas planit arab, palestinezët do të qëndrojnë atje dhe Hamasi do të përjashtohet nga qeverisja. Izraeli e ka hedhur poshtë planin.

    Plani i vendeve arabe është një “hap i parë mirëbesimi”, i tha Zërit të Amerikës i dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Ai nuk tha nëse palestinezët do të lihen në Gazë.

    “Ne po vlerësojmë gjithçka atje. Kështu që është pak herët për të komentuar”.

    Izraeli ka bllokuar gjithashtu të gjithë ndihmën në Gazë që nga e diela, duke përsëritur akuzat e kahershme se ato po i shkojnë Hamasit, gjë që agjencitë ndërkombëtare e mohojnë.

    Aktualisht në territor ka një mungesë karburanti, gjë që rrezikon më tej shërbimet bazë si pastrimi i plehrave.

     

  • Rita Ora me një tjetër paraqitje mahnitëse në “The Masked Singer” – kësaj radhe si një perëndeshë e Olimpit

    Rita Ora me një tjetër paraqitje mahnitëse në “The Masked Singer” – kësaj radhe si një perëndeshë e Olimpit

    Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka realizuar një tjetër paraqitje mbresëlënëse në emisionin e njohur “The Masked Singer US”, ku është paneliste.

    Me një stil të pazakontë dhe plot elegancë, Rita ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve me një veshje që e bëri atë të dukej si një perëndeshë e lashtë helene.

    Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, Rita ka zgjedhur një fustan të kaltër të mrekullueshëm dhe ka kompletuar pamjen me aksesore në kokë, të cilat e bënë të shkëlqente si një figurë mitologjike.

    Kjo paraqitje e saj ka përputhur perfekt temën e natës, e cila kishte motive olimpike, duke e bërë Rita Orën një figurë të denjë për përfaqësimin e perëndeshave të Olimpit.

    Fustani i kaltër dhe aksesorët e veçantë në kokë i dhanë një ndjesi magjie dhe mistikiteti, duke krijuar një lidhje të thellë mes stilit të saj dhe atmosferës të natës olimpike.

    Në mbishkrimin e fotografive, Rita Ora ka shkruar: “Sonte jemi të gjithë heronj dhe perëndesha në @maskedsingerfox! Ndjekeni në orën 8 pasdite ET në @foxtv për të dëgjuar Zërat e Olimpit”.

    Rita vazhdon të befasojë fansat me elegancën e saj dhe përkushtimin ndaj projekteve të reja, duke treguar një herë tjetër se është një ikonë e vërtetë në industrinë e muzikës dhe të modës.

     

  • Distria Krasniqi e mund xhudisten serbe

    Distria Krasniqi e mund xhudisten serbe

    Distria Krasniqi vazhdon të shkëlqejë në Grand Prix të Linzit.

    Kampionia olimpike ka arritur me sukses të kualifikohet në gjysmëfinale në kategorinë deri në 52 kilogramë.

    Në çerekfinale, Distria eliminoi për 26 sekonda me IPPON xhudisten serbe, Nikolina Nisavic.

    Në gjysmëfinale, xhudistja pejane u ndesh me hungarezen Reka Pupp, të cilën gjithashtu e mposhti me ‘waza-ari’ pa shumë vështirësi.

    Kështu, Distria është kualifikuar në finale, ku ka siguruar tashmë medaljen e argjendtë dhe të luftojë për të artën me japonezen Iroha Oi.

  • KESCO reagon për mesazhet Scam: Kërkojmë nga konsumatorët të kenë kujdes të shtuar të mos bien pre e këtyre mashtrimeve

    KESCO reagon për mesazhet Scam: Kërkojmë nga konsumatorët të kenë kujdes të shtuar të mos bien pre e këtyre mashtrimeve

    Paguani faturat e rrymës vetëm në kanalet e autorizuara dhe zyrtare nga KESCO.

    Ditëve të fundit është duke qarkulluar një SMS SCAM me këtë përmbajtje:

    “NJOFTIM URGJENT PËR PAGESË
    Pagesa juaj e energjisë elektrike është ME VONESE! Sipas rregulloreve te Kosoves, nëse nuk paguhet brenda 24 ORËVE:
    • Aplikohet penalitet 18%
    • Energjia elektrike do të shkëputet
    • Kërkohet rilidhje personale
    Paguani tani: https://fatura-kesco-energy.life/kos?|21ZcxRWqowkxG2=i23ezbOvZ
    Pa regjistrim – thjesht futni ID-në dhe të dhënat e pagesës”

    KESCO sqaron se nuk ka të bëj asgjë me këtë dhe se nuk ka dërguar një SMS të tillë, prandaj kërkojmë nga konsumatorët të kenë kujdes të shtuar të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.

    Ju lutemi t’i verifikoni këto SMS që për qëllim kanë mashtrimin, dhe të gjitha pagesat ti kryeni përmes kanaleve zyrtare të KESCO, si aplikacioni eKesco, arkat nëpër qendrat tona, platforma eKosova, si dhe bankat e institucionet mikrofinanciare.

    KESCO do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore lidhur me këtë çështje. Për çdo informacion të mëtejshëm, ju lutemi kontaktoni këshilltarët tanë nga shërbimi për konsumatorë nëpërmjet kanaleve zyrtare të KESCO, si dhe lajmërojeni në Policinë e Kosovës.

  • Hamza uron mësimdhënësit: Faleminderit për përkushtimin e madh dhe punën e palodhur

    Hamza uron mësimdhënësit: Faleminderit për përkushtimin e madh dhe punën e palodhur

    Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka uruar mësimdhënësit në ditën e tyre.

    Hamza falënderoi ata për përkushtimin dhe punën e palodhur në arsimimin e gjeneratave.

    “Për të gjithë mësimdhënësit në shkollat shqipe, faleminderit. Faleminderit për përkushtimin e madh dhe punën e palodhur në arsimimin e gjeneratave dhe përgatitjen e tyre për një të ardhme më të mirë. Dita e Mësuesit uroj që vitin tjetër në Kosovë t’iu gjejë me kushte më të mira të punës, me mbështetje më të madhe dhe paga më dinjitoze”, shkroi Hamza në Facebook.

    Ai tha se mbështetja për mësimdhënësit është mbështetje për një shoqëri më të arsimuar dhe më të zhvilluar.