Tag: sport

  • Nuk ka fund makthi për mbrojtesin kuqezi Kastriot Dërmaku

    Nuk ka fund makthi për mbrojtesin kuqezi Kastriot Dërmaku

    Karriera e Kastriot Dermakut ka marrë një kthesë aspak të këndshme në sezonin e fundit për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme që e kanë lënë jashtë fushave të lojës për një kohë të gjatë mbrojtësin kuqezi dhe kthimi i tij nuk duket se do të ndodhë së shpejti.

    Futbollisti 31-vjeçar, i cili ka veshur 12 herë fanellën e Kombëtares shqiptare, sapo ishte kthyer nga një dëmtim i gjatë dhe kishte filluar të grumbullohej dhe ulej në pankinë në ndeshjet e klubit të Leçes, pjesë e të cilit është. Por mediat italiane kanë bërë të ditur se ai ka pësuar një tjetër dëmtim në stërvitje sot.

    Gjatë seancës së pasdites, ai ka pësuar një ndrydhje në gjurin e majtë. Kështu, lojtari do të jetë i detyruar që t’u nënshtrohet testeve më të hollësishme nesër, për të kuptuar shkallën e dëmtimit të radhës që ka pësuar dhe që po e bën shumë të vështirë vijimin e karrierës.

    Si pasojë e situatës me dëmtimet, Dermaku ka luajtur vetëm 2 ndeshje në vitin e fundit dhe aktivizimi i rregullt me Leçen, duket shumë pak i mundshëm.

  • Formacionet e mundshme: Liverpool – Arsenal

    Formacionet e mundshme: Liverpool – Arsenal

    Liverpool do të përballet sot me Arsenal në derbin e javës së 18’të të Premierligës angleze.

    Dy gjigantët anglezë do të kërkojnë pikët e plota në “Anfield” në ndeshjen që është direkte për kreun e tabelës së Premier League.

    Para fillimi të takimit që zhvillohet nga ora 18:30 janë publikuar formacionet e mundshme.

    Ja 11’shet që pritet të startojnë:

    Liverpool:
    Alisson; Alexander-Arnold, Konate, Van Dijk, Tsimikas; Szoboszlai, Endo, Jones; Salah, Nunez, Diaz.

    Arsenal:
    Raya; White, Saliba, Gabriel, Zinchenko; Odegaard, Rice, Havertz; Saka, Jesus, Martinelli.

  • Super Zhegrova, vlerësohet me notën më të lartë në Lille-PSG

    Super Zhegrova, vlerësohet me notën më të lartë në Lille-PSG

    Sfida e vlefshme për javën e 16-të të Ligue 1 mes Lille dhe Paris Saint-Germain u mbyll me barazimin 1-1.

    Sulmuesi i Lille dhe i përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova u shfaq në super formë në këtë përballje.

    Pas sfidës kanë dalë edhe vlerësimet për të gjithë lojtarët dhe futbollisti me notën më të lartë është pikërisht Zhegrova, të cilit i është vendosur nota 7.8.

  • Transferohet te madrilenët, Endrick i bën dhuratën e veçantë Perezit

    Transferohet te madrilenët, Endrick i bën dhuratën e veçantë Perezit

    Talenti brazilian, Endrick, vazhdon turin e tij në Madrid, ku do të transferohet në verë, për të filluar një etapë shumë të rëndësishme të karrierës së tij, teksa pasi mbërriti në kryeqytetin spanjoll javën e kaluar, braziliani ishte i pranishëm të dielën në “Santiago Bernabeu”, për të shijuar nga afër fitoren e thellë (4-1) të “Los Blancos” ndaj Villarreal.

    Ai ishte në tribunë bashkë me të dashurën dhe vëllanë e vogël, duke imituar festimin e Bellingham dhe të hënën u takua me presidentin Florentino Perez, i cili e mori për të vizituar ambientet e klubit dhe mbi të gjitha për të parë palmaresin e trofeve.

    Lojtari i “gjigantëve” të futbollit brazilian, Palmeiras, i cili pas gjashtë muajsh do të veshë fanellën e bardhë, ka pozuar me presidentin, të cilit i ka bërë edhe një dhuratë, fanellën e Brazilit me numër 21, atë që veshi më 17 nëntor, kundër Kolumbisë, në ndeshjen e tij debutuese me kombëtaren në moshën 17 vjeç, 3 muaj e 27 ditë.

    “Ishte ëndrra ime që kur isha i vogël dhe, falë Zotit, jam këtu me familjen time. Mendoj se do të shkruajmë një histori të mrekullueshme pas gjashtë muajsh”,- u shpreh talenti brazilian për kanalet zyrtare të “Los Blancos”.

  • Messi dhe Ronaldo, përballë njëri-tjetrit më 1 shkurt

    Messi dhe Ronaldo, përballë njëri-tjetrit më 1 shkurt

    Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, do të jenë sërish përballë njëri-tjetrit.

    Kjo ndoshta edhe për herën e fundit në karrierën e tyre.

    Skuadra e Inter Miamit, ku bën pjesë edhe Messi e ka konfirmuar pjesëmarrjen në Riyadh Season Cup, në kuadër të fazës parasezonale.

    Përballja e dy gjigandëve të futbollit do të ndodh më datë 1 shkurt, në atë që quhet “The Last Dance”, apo “Vallëzimi i fundit”.

    Ata janë përballur 35 herë mes vete me klube dhe me Kombëtaret e tyre.

    Messi ka fituar 16 herë, kurse Ronaldo 10 herë, ndërkaq nëntë ballafaqime të tjera mes tyre kanë përfunduar baras.

    Argjentinasi i ka shënuar 21 gola dhe i ka bërë 12 asistime në ato ndeshje.

    Kurse, portugezi i ka 20 gola dhe një asistim në duelet me tyre.

    Shumica e përballjeve, kanë ndodhur në “El Clasicon”, Real Madrid – Barcelona.

  • E gjithë Europa pas tij, por garën për “Messin” e ardhshëm e udhëheq City

    E gjithë Europa pas tij, por garën për “Messin” e ardhshëm e udhëheq City

    Pas transferimit me sukses të Julian Alvarez nga Argjentina në Premier League, Manchester City përgatit goditjen e radhës, sërish nga vendi amerikano-latin dhe sërish nga klubi i River Plate. Në shënjestrën e “The Citizens” është Claudio Echeverri, talenti 18-vjeçar për të cilin pritshmëritë janë të jashtëzakonshme.

    Në Argjentinë, guxojnë edhe ta krahasojnë me Lionel Messin. Echeverry është aktualisht pjesë edhe e Argjentinës U18 dhe në 17 ndeshje me kombëtaren ka shënuar tetë gola. City po studion mundësinë për ta transferuar atë që ndryshe quhet edhe si “El Diablito” dhe ka lëvizur konkretisht, megjithatë konkurrenca është e fortë.

    Kualitetet e Echeverrit nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga pjesa tjetër e klubeve më të mëdha europiane si Real Madrid, Barcelona, Paris Saint-Germain, Juventus, Milan dhe Inter.

  • Ballkani fiton me përmbysje ndaj Fushë Kosovës, nuk di për humbje

    Ballkani fiton me përmbysje ndaj Fushë Kosovës, nuk di për humbje

    Ballkani ka shënuar një tjetër fitore në Superligën e Kosovës në futboll.

    Kampioni në fuqi, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 16-të, fitoi me përmbysje ndaj Fushë Kosovës, me rezultat 2-1.

    Osman Meziu i dha epërsinë ”pampurave” qysh në minutën e 4-të të ndeshjes.

    Pak para përfundimit të pjesës së parë, Walid Hamidi barazoi shifrat në 1-1, në minutën e 44-të.

    Golin e fitores për Ballkanin e shënoi Qendrim Zyba në minutën e 87-të.

    Ballkani edhe pas 16 ndeshjeve vazhdon të mbretërojë në tabelë, me 38 pikë, dhjetë më shume se Drita ë vendin e dytë.

    Në anën tjetër, Fushë Kosova ështe e parafundit, me vetëm 10 pikë.

  • Sot ndeshje luksi për Shqipërinë, Sylvinho me disa ndryshime në formacion

    Sot ndeshje luksi për Shqipërinë, Sylvinho me disa ndryshime në formacion

    Shqipëria mbyll sonte në “Air Albania” përballë Ishujve Faroe rrugëtimin fantastik në grupin E të eliminatoreve të Euro 2024. Kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho, kanë siguruar kualifikimin në Gjermani 2024.

    Një pikë mjafton sonte për ta mbyllur në krye të grupit, por lojtarët do të zbresin në fushë për fitore. Për të gëzuar tifozët e jashtëzakonshëm, të cilët do të mbushin plot stadiumin “Air Albania”.

    Trajneri brazilian pritet të bëjë 6 ndryshime në formacion krahasuar me titullarët e transfertë ndaj Moldavisë. Thomas Strakosha do të zërë vendin e Etrit Berishës mes shtyllave.

    Ivan Balliu pritet ta nisë nga minuta e parë në krahun e djathtë të mbrojtjes. Në vend të Elseid Hysajt. Ndërkohë që do të ketë ndryshime edhe në repartin e mesfushës.

    Me Keidi Baren dhe Ernest Muçin si titullarë në vend të Kristjan Asllanit dhe Nedim Bajramit. Rokadë edhe në ofensivë, aty ku Mirlind Daku (qendër) dhe Myrto Uzuni (djathtas) do e nisin ndeshjen nga minuta e parë.

  • Shaqiri: Kombëtares së Kosovës i nevojitet ambient dhe stadium më i mirë

    Shaqiri: Kombëtares së Kosovës i nevojitet ambient dhe stadium më i mirë

    Sulmuesi Xherdan Shaqiri vlerëson se Kombëtares së Kosovës i nevojitet një ambient dhe stadium më i mirë.

    Kështu ka thënë ai në një prononcim pas ndeshjes Zvicër-Kosovë e cila përfundoi me rezultat 1:1.

    “Respekt për djemtë se e kanë bërë një lojë të mirë dhe e dhënë maksimumin. E morën një barazim, ky është fillimi për një të ardhme shumë të mirë. E kanë një ardhje shumë të mirë”, ka thënë Shaqiri.

    “Duhet një ambient shumë i mirë që është me rëndësi. Mund të arrijnë shumë. Edhe stadiumin duhet me ndreq mirë sepse fusha nuk është e mirë me pa Kosovën që po luajnë në këtë fushë”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, Kosova ka potencial shumë të madh dhe se beson që një ditë ajo do të arrije të kualifikohet.

    “Jam shumë i lumtur që Shqipëria prapë u kualifikua. Jam shumë i lumtur që ka edhe shumë kosovarë që luajnë për Shqipërinë”, ka thënë në fund Xherdan Shaqiri.

  • Zvicër-Kosovë, formacionet e mundshme

    Zvicër-Kosovë, formacionet e mundshme

    Sonte me fillim nga ora 20:45 stadiumi “St. Jakob-Park” do të jetë nikoqir i duelit tejet interesant mes Zvicrës dhe Kombëtares së Kosovës, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Në xhiron e fundit të zhvilluar në këtë garë, Kosova e mposhti Izraelin 1:0, kurse Zvicra barazoi 1:1 po ashtu me Izraelin.

    Momentalisht, Zvicra zë vendin e parë në Grupin I në kuotën e 16 pikëve, aq sa ka edhe Rumania në vendin e dytë, kurse Kosova renditet në vendin e katërt me 10 pikë.

    Takimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve daton në muajin shtator të këtij viti, ku asokohe në Prishtinë, Kosova barazoi 2:2 me Zvicrën.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy kombëtaret do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Zvicrën nuk do të paraqiten Edimilson Fernandes, Jordan Lotomba ndërsa në dyshim është Fabian Schar, kurse te Kosova mungon Vedat Muriqi.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Zvicra (4-3-3): Sommer; Akanji, Elvedi, Zesiger, Rodriguez; Freuler, Xhaka, Zakaria; Shaqiri, Amdouni, Vargas

    Kosova (3-5-1-1): Muric; Dellova, Aliti, Hajrizi; Hadergjonaj, Loshaj, Zyba, Muslija, Vojvoda; Rashica; Krasniqi.