Kandidati për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Besnik Osmani, së bashku me kandidatët për Kuvendin Komunal, zhvilloi një ndeshje volejbolli me ekipin e volejbollit të vajzave që konsiderohet krenari e qytetit dhe e gjithë Kosovës.
Osmani theksoi se këto vajza janë shembull i disiplinës, talentit dhe shpirtit garues që frymëzon komunitetin, duke shtuar se sporti është një nga shtyllat kryesore për ndërtimin e një rinie të shëndetshme dhe energjike.
“Sporti forcon rininë, bashkon komunitetin dhe e bën qytetin tonë më të shëndetshëm e më energjik,” tha Osmani.
Ai njoftoi gjithashtu se nga java e ardhshme palestra sportive moderne do të vihet në dispozicion të sportistëve, duke e cilësuar këtë si një investim të rëndësishëm për të ardhmen e rinisë së Fushë Kosovës.
Ky angazhim, sipas tij, synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit dhe për të sjellë suksese të reja që do ta bëjnë qytetin edhe më krenar.
https://www.facebook.com/share/p/1RrM6Y15ak/?mibextid=wwXIfr